Çfarë do të thotë të mësuarit përgjatë gjithë jetës?
Epoka e informacionit në të cilën po jetojmë ka ndryshuar, jo vetëm konceptet dhe mënyrat e përdorura për të ndërtuar një karrierë të suksesshme, por dhe përpjekjet apo përqasjet drejt arsimimit apo formimit profesional, siç është edukimi i vazhdueshëm përgjatë gjithë jetës. Edukimi i vazhdueshëm nënkupton kërkim informacioni, zhvillim të mëtejshëm të një teme diplome apo një kërkimi shkencor, pjesëmarrje në trajnime, konferenca, konkurse dhe çdo aktivitet tjetër që ka njohuri të reja, të cilat mund të ndihmojnë individin për të qenë më efektiv në çdo hap të karrierës së tij.
Të mësuarit përgjatë jetës është tashmë një koncept i gjendur në çdo fushë studimi dhe i nevojshëm në çdo aspekt të zhvillimit të jetës sociale, ku dinamika e bashkëveprimit të faktorëve të ndryshëm bën që të ekzistojë një konkurrencë e fortë, e cila kërkon vazhdimisht nevojën për diferencim. Informacionet dhe njohuritë në kohën që po jetojmë po ndryshojnë çdo 2-3 vjet me një shpejtësi dy herë më të lartë se vitet më parë. Angazhimi dhe të qenurit i motivuar për përmirësim të vazhdueshëm, është çelësi i suksesit afat gjatë dhe kushti për të “mbijetuar” në një mjedis të ashpër konkurrues.