Qendra e Karrierës shërben si një urë lidhëse mes studentëve të Universitetit të Tiranës dhe aktorëve të ndryshëm në tregun e punës. Qendra e Karrierës është një strukturë e cila ndihmon dhe orienton studentët drejt punësimit me anë të praktikave profesionale. Krijimi i marrëdhënieve formale dhe informale me institucionet publike dhe private në vend i siguron studentëve hapësirat e duhura për zhvillimin e praktikave profesionale dhe krijimin e kontakteve të para me tregun e punës. Pse duhen praktikat profesionale:
- Përfiton një eksperiencë të mirë pune;
- Zhvillon aftësitë praktike dhe profesionale;
- Njihesh me mundësi të ndryshme për karrierën e ardhshme profesionale;
- Rrit besimin tek vetja;
- Rrit vlerën e CV-së;
- Ndërton kontakte të nevojshme.
1. Çfarë është internship-i
Internshipi është një mënyrë efektive e zhvillimit praktik dhe profesional i eksperiencës akademike, ku studentëve u jepet mundësia të përfitojnë eksperiencë profesionale jo vetëm në fushën e tyre të studimit, por edhe më gjerë. Internshipi ju lejon të zhvilloni dhe përmirësoni aftësitë tuaja dhe ju ndihmon të jeni më konkurrent në tregun e punës.
2. Koha e ndjekjes së internshipit
Periudha më e përshtatshme për të kërkuar për një internship është gjatë përfundimit të vitit të tretë bachelor dhe gjatë ndjekjes së studimeve master. Konsiderohet si periudha më e përshtatshme sepse njohuritë akademike janë më të shumta dhe mund të shfytëzohen më mirë nga studentët, por gjithsesi eksperiencat praktike janë të vlefshme në çdo kohë që ju e vlerësoni të arsyeshme.
3. Organizimi i programit internship
Internship-et që zhvillohen gjatë vitit akademik kërkojnë mesatarisht 10-20 orë në javë. Kjo kohëzgjatje i lejon studentët në të njëjtën periudhë të frekuentojnë programin studimor dhe programin e internship-it. Internship-et i mund të jetë i paguar ose i pa paguar. Përgjithësisht janë institucionet dhe bizneset ato të cilat përcaktojnë programin e internship-it që duhet të ndjekë studenti, duke përcaktuar orarin dhe modelin internship-it, ose kjo gjë mund të vendoset në bashkëpunim me zyrën e karrierës.